BOTUES - "MEDIA CENTER" Agjensi Spektakli
Kryeredaktor : GENCI SULO

 
Gretës i vjedhin këngën
Është shndërruar tashmë në një yll të vërtet të muzikës shqiptare. Sukseset e saj janë të njëpasnjëshme. Kjo, falë talentit të saj dhe punës intensive, të cilët janë përcaktuesit e një karriere të gjatë në këtë fushë. Është mësuar që e vogël me një sukses të tillë, i cili jo vetëm që nuk e ka bërë euforike, por e ka shtyrë të punojë akoma më tepër. Gjithçka që ajo bën kthehet në sukses. Të gjitha këngët e saj janë ndër më të dëgjuarat, duke e pozicionuar mirë në top listën e këngëtarëve shqiptarë.
Suksesi i saj i kalon edhe kufinjtë e Shqipërisë për në vendet e Ballkanit. Sukses të madh këngët e saj kanë edhe në Bullgari ku transmetohen në televizionin muzikor Tv Ballkanika. Nga ky sukses është munduar të përfitojë edhe këngëtarja bullgare Emanuela, e cila ka pubikuar së fundi versionin bullgar të këngës së Greta Koçit, “NJë herë po, një herë jo”. Këngëtarja ka huazuar këtë këngë pa asnjë lloj të drejte autori, madje ka realizuar edhe videoklip, i cili transmetohet në Bullgari. Por, kjo ka shtuar akoma më shumë suksesin e Gretës në këtë shtet dhe diskutimet rreth saj janë shtuar. Nëpër forume muzikore në internet komentohet më së shumti kënga e cila i është vjedhur Gretës. Mirëpo, faktet tregojnë të kundërtën. Greta e ka publikuar këtë këngë në vitin 2006, ndërsa Emanuela në vitin 2007, pra më vonë. Videoklipi i këngëtares bullgare ndodhet në faqen e internetit “youtube” dhe muzika është kopje e dallueshme qartë e këngës së Gretës. Ky është një nga të paktat raste kur këngëtarë të huaj vjedhin këngët e këngëtarëve shqiptarë.
 
Më në fund, edhe Big Brother Albania!

Fjalët e para se Big Brother do të realizohej edhe në Shqipëri, qarkulluan rreth një vit më parë. Atëherë asgjë nuk dihej me siguri dhe shumica u treguan disi skeptikë, jo për faktin nëse do të mund të vinte në Shqipëri ky format televiziv, por më tepër për mënyrën se si do të realizohej. Mirëpo, muajt e fundit ka filluar të lançohet bujshëm ardhja e edicionit të tij të parë në Shqipëri. Më parë janë realizuar formate të ngjashme me të, por Big Brother mbetet i veçantë në llojin e tij. Me miliona teleshikues në shumë vende të botës, ai vjen së shpejti edhe për publikun shqiptar. Tashmë po bëhen përgatitjet përfundimtare. Vila gjigande është pothuajse gati, por edhe 14 konkurentët janë përzgjedhur. Në rolin e prezantueses do të jetë Arbana Osmani, e cila është provuar në drejtim spektaklesh, mirëpo ky është një lloj tjetër spektakli. Me kureshtje do të shikojmë se si do të jetë ajo në rolin e prezantueses së tij. Pjesa më joshëse për konkurentët është çmimi më i madh televiziv në Shqipëri, ai prej 50.000 eurosh, si dhe fama e menjëhershme që ata do të marrin. Akoma nuk është përcaktuar data e startimit të Big Brother Albania, mirëpo, njerëzit janë me kureshtje në pritje të tij. Të shikojmë se sa do t’i afrohet edicioneve të huaja.

 
Anjeza Branka, së shpejti videoklipi!

Java e kaluar ka qenë shumë impenjative për këngëtaren Anjeza Branka. Në datën 14 shkurt, pikërisht në ditën e të dashuruarve ajo ka qenë e ftuar në katër koncerte, në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Edhe pse ka qenë një ditë e ngarkuar me punë dhe e lodhshme, për Anjezën koncertet janë kënaqësi e madhe, aq sa lodhja kalon menjëherë. Por, edhe pse puna e ka mbajtur në lëvizje të vazhdueshme, nuk do të thotë se nuk ka festuar. Pranë saj në çdo lëvizje ka qenë partneri i saj. Të dy shkëmbyen dhurata për njëri tjetrin për Shën Valentin. Ndërkohë, Anjeza sapo ka regjistruar një këngë të re, të cilës pritet shumë shpejt t’i realizojë edhe një videoklip. Gjithashtu, në planet e saj bën pjesë edhe pjesëmarrja në Top Fest, mirëpo, akoma nuk është e konfirmuar. Kjo është një periudhë e mirë për këngëtaren, e cila, pas përkushtimit ndaj djalit të saj të vogël, i është rikthyer seriozisht profesionit të saj.

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush: “Kosovarët tashmë janë të pavarur”. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, uron popullin e Kosovës për këtë rast historik

SHBA-të janë të parat që njohën zyrtarisht Kosovën shtet të pavarur. Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur dje se njeh zyrtarisht shtetin e ri të Kosovës dhe ka përshëndetur veprimin e autoriteteve kosovare. Deklarata ka ardhur nga sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, e cila uroi popullin e Kosovës për këtë rast historik. Në deklaratën e saj, Rajs tha: “Presidenti Bush i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së paraqitur nga Kosova për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve”. Në këtë deklaratë është nënvizuar se 9 vjet më parë komuniteti ndërkombëtar i drejtuar nga NATO mori masa për të ndaluar sulmet brutale mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Pas këtij veprimi, Kosova u vendos nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara duke i hequr kështu Serbisë çdo të drejtë për të udhëhequr Kosovën. Më pas Kosova ndërtoi institucionet e saj demokratike dhe vitin e kaluar i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, shpalosi planin e tij për një Kosovë të pavarur nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush ka deklaruar nga Afrika se “kosovarët tashmë janë të pavarur”. Ai ka theksuar se gjithmonë e ka mbështetur Kosovën dhe pavarësinë e saj.


  © 2005-2008 Të gjitha të drejtat "MEDIA CENTER" Site Designed by Ergys Temali